Toka – “Planeti Plastikë”

Shkencëtarët amerikanë kanë përllogaritur sasinë më të madhe të plastikës të prodhuar ndonjëherë, në vetëm 65 vitet e fundit, në shifrën e 8.3 miliardë ton.

Nëse do të krahasonim, sasia e 8.3 miliardë ton është një masë po aq e rëndë sa 25,000 ndërtesa të Empire State në Nju Jork, ose sa një miliard elefantë.

Më shumë se 70% e prodhimit të përgjithshëm tani realizohet në rryma të mbetjeve, të depozituara kryesisht në landfill – pavarësisht kësaj shumë prej tyre përfundojnë në mjedis, përfshirë oqeanet.

Studimi  i realizuar nga Universiteti i Kalifornisë, Santa Barbara, dhe i publikuar në Revistën Science Advances përshkruhet si studimi i parë global më i besueshëm lidhur me sasinë e prodhuar të plastikës, mënyrës së përdorimit të saj si dhe ku përfundon ajo. Ky studim paraqet disa gjetje kyçe:

  • 8,300 milion ton plastikë e prodhuar në 65 vitet e fundit;
  • Gjysma e kësaj vlere është prodhuar në vetëm 13 vitet e fundit;
  • Rreth 30% i prodhimit mbetet në përdorim edhe sot;
  • Nga plastika e hedhur, vetëm 9% është ricikluar;
  • Rreth 12% është djegur dhe 79% ka përfunduar në landfill;
  • Produktet me kohëzgjatjen më të shkurtër të përdorimit të plastikës janë paketimet, tipikisht më pak se një vit;
  • Kohëzgjatjen më të gjatë të përdorimit të plastikës e gjejmë në sektorin e ndërtimit dhe makinerive;
  • Sipas trendeve aktuale parashikohet se deri në 2050 pritet të gjenerohen 12 milion ton plastikë;
  • Normat e riciklimit në 2014: në Europë (30%), Kinë (25%), dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (9%).

Dr. Roland Geyer, autor i këtij studimi, shprehet për BBC News se “Ne po lëvizim me shpejtësi drejt ‘Planetit Plastikë’ dhe nëse nuk duam të jetojmë në një botë të tillë, atëherë duhet realisht të mendojmë se si do të përdorim disa materiale, veçanërisht plastikën”.

Nuk ka dyshim që plastika është një material shumë i kërkuar. Përshtatshmëria dhe qëndrueshmëria e saj ka bërë që prodhimi dhe përdorimi i tyre të tejkalojë shumë materiale të tjera të prodhuara nga njeriu, me përjashtim të çelikut, çimentos dhe tullave.

Që nga fillimi i prodhimit në masë në vitet 1950, polimerët tashmë janë pjesë e përditshmërisë sonë, që nga mbështjellja e ushqimit dhe veshmbathja, deri te pjesët e aeroplanëve dhe makinerive. Por janë pikërisht këto cilësi të mahnitshme të plastikës të cilat përbëjnë sot një problem për mjedisin.

Studiues nga Universiteti i Gjeorgjisë kanë hartuar dhe publikuar në vitin 2015 një raport që kuantifikonte sasinë totale të mbetjeve plastike që përfundojnë çdo vit në oqeane, përkatësisht: tetë milionë ton. Kjo rrjedhë e veçantë e mbetjeve ka sjell shqetësime për shkak të dëshmive të qarta se tani disa nga këto materiale të hedhura kanë përfunduar në zinxhirin ushqimor, duke qenë se peshqit dhe krijesa të tjera detare përtypin fragmente të vogla polimeri.

Dr. Erik van Sebille nga Universiteti Utrecht në Holandë një oqeanograf që ndjek plastikën në det shprehet se “Ne po përballemi me një cunam të mbetjeve plastike, dhe për këtë duhen marrë masat e nevojshme”. “Ne kemi nevojë për një ndryshim rrënjësor për mënyrën se si i trajtojmë mbetjet plastike. Megjithatë, sipas tij ky është një proces shumë i ngadaltë.

Gjithashtu, Richard Thompson, profesor i biologjisë detare në Universitetin Plymouth të Britanisë së Madhe, shprehet se: “Nëse produktet plastike do të të dizajnoheshin me idenë për tu ricikluar, ato do të mund të ricikloheshin më shpesh; kështu një shishe mund të riciklohej 20 herë. Aktualisht, dizajni i dobët e kufizon këtë praktikë”.

Për të ilustruar këtë pikë, sipas Dr. Geyer: “Greali i shenjtë i riciklimit është që të mbahet produkti në përdorim sa më shumë të mundet, pse jo përgjithmonë. Por në këtë studim rezulton se në të vërtetë 90% e produkteve të ricikluara, përllogaritur në masën e 600 milion tonëve, u ricikluan vetëm një herë”.

Në Shqipëri, bazuar në shifrat e INSTAT 2009 për popullsinë prej 3,2 milion banorë, prodhimi i vjetor i mbetjeve bashkiake është vlerësuar i barabartë me rreth 852.360 ton.

Në vitin 2015, mbi bazën e të dhënave që publikohen nga bashkitë dhe që mblidhen e përpunohen nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, raportohet së shërbimi i grumbullimit të mbetjeve i ofrohet vetëm 65% të popullsisë. Kështu, për 2015 në Shqipëri janë grumbulluar rreth 935,510 ton mbetje, me një mesatare prej 245 kg/banor/vit ose 0.68 kg/banor/ditë.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, vetëm 30% e totalit të grumbulluar depozitohen në landfill ndërsa 70% në vend depozitime, pa ndonjë trajtim të veçantë. Ndërkohë, zyrtarisht raportohet se në vend riciklohen rreth 19,336 ton mbetje ose rreth 2% e totalit të gjeneruar, një shifër kjo mjaft e ulët.

 

 

Publikuar: 19 Korrik 2017

Burimi: BBC News – Science & Environment

http://www.bbc.com/news/science-environment-40654915

 

Related Posts