Sistemet septike, një ndër burimet kryesore për ndotjen e ujit të pijshëm.

Studimi më i fundit mbi trajtimin e ujërave të zeza në Shtetet e Bashkuara ka treguar se sistemet septike vazhdimisht shkarkojnë në mjedis produkte farmaceutike dhe kimikate të tjera potencialisht të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin.

Studimi, i publikuar më 15 qershor në revistën Environmental Science & Technology, është vlerësimi më i plotë deri më sot i sistemeve septike, si një ndër burimet kryesore të ndotjes së mjedisit, duke ngritur gjithashtu shqetësime mbi shëndetin pasi shumë prej këtyre kimikateve, pasi shkarkohen, përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe sistemet e furnizimit me ujë të pijshëm.

Këto lloje ndotësish shpesh zbulohen në lumenj, liqene dhe sisteme të furnizimit me ujë të pijshëm. Sipas këtij studimi, prania e tyre në mjedis është shoqëruar me feminizimin e peshqve meshkuj dhe uljen e pjellorisë në kafshë të tjera të egra. Gjithashtu, këto ndotës lidhen me sëmundje tek njerëzit si tiroide, çrregullime zhvillimore, ulje të pjellorisë dhe madje edhe kancer.

Sipas Laurel Schaider, kimist i shquar në Institutin Silent Spring dhe autor i këtij studimi,  këto kimikate gjenden në produkte që ne përdorim çdo ditë, dhe shpesh shkarkohen përmes sistemeve septike”. “Ne potencialisht ri-ekspozohemi ndaj këtyre kimikateve si pasojë e përzierjes së tyre me ujin e pijshëm”.

Përafërsisht 20% e familjeve amerikane mbështeten në sistemet septike për të përpunuar ujërat e zeza. Në disa pjesë të vendit, numri është shumë më i lartë; për shembull, në Cape Cod, Massachusetts, 85%.

Ndërkohë, në Shqipëri sipas raportit vjetor të Entin Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2014, operatorët e shërbimit mbulojnë me shërbimin e grumbullimit dhe largimit të ujërave të ndotura një popullsi prej 1,65 milion banorë ose rreth 64,6% të popullsisë në zonën e juridiksionit të tyre. Popullsia që faktikisht shërbehet me kanalizime nga operatorët jeton kryesisht në zonat urbane dhe përbën 83,0% të totalit të popullsisë që shërbehet, dhe pjesërisht në zonat rurale me një mbulim prej 10,9%  të totalit të popullsisë që shërbehet; kështu pjesa më e madhe e popullsisë në zonat rurale përdorin sistemin e gropave septike.

Në këto kushte është e rëndësishme që të realizohet lidhja e tyre me impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në mënyrë që gropat septike të përdoren sa më pak, kështu të mund të shmanget ndotja e mjedisit, degradimi i ujërave nëntokësore dhe ujit të pijshëm.

 

Burimi: Revista Environmental Science & Technology

Publikuar: 27 Qershor 2017, 06:19 AM

Referencë: Schaider L.A., K.M. Rodgers, R.A. Rudel. 2017. Review of Organic Wastewater Compound Concentrations and Removal in Onsite Wastewater Treatment Systems(link is external)Environmental Science & Technology.

Related Posts